Distortion and Disbelief: A Feminist Socio-Legal Analysis of Kosovar Courts’ Judgements on Rape
Year: 2025
Type: dissertation
Abstract: Kjo temë shqyrton mënyrën se si gjykatat në Kosovë gjykojnë rastet e dhunimit, përmes një analize cilësore të dispozitave penale dhe aktgjykimeve gjyqësore. Qëllimi i saj është të ndihmoj në ndryshimin e “narrativës ligjore” të dhunimit në Kosovë, në mënyrë që përkufizimet dhe interpretimet ligjore të pasqyrojnë më mirë përvojat e grave dhe të mos riprodhojnë dhunë ndaj viktimave. Duke u mbështetur në një kornizë teorike feministe mbi mitet e dhunimit dhe narrativat kulturore, kam bërë një analizë tematike të dispozitave të dhunimit në Kodet Penale të viteve 2004, 2013 dhe 2019, si dhe të 33 aktgjykimeve gjyqësore. Materiali empirik është i kufizuar kryesisht në aktgjykimet publike të publikuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Analiza tregon një mospërputhje mes qëllimit të ligjit dhe mënyrës se si ai zbatohet në praktikë nga gjykatat. Edhe pse qysh prej vitit 2004 kuadri ligjor e vendos pëlqimin në qendër të përkufizimit të dhunimit, në praktikë, logjika mbizotëruese interpretuese në shumicën e aktgjykimeve vazhdon të mbështetet në paradigmën e vjetër të forcës. Prej 33 aktgjykimeve të analizuara, vetëm 10 trajtojnë më thellësisht konceptin e pëlqimit përtej përmendjes sipërfaqësore. Në 6 raste prej këtyre pëlqimi është interpretuar me anë të miteve të dhunimit. Gjykatat gjithashtu dështuan të merrnin parasysh ndikimin që mund të ketë dhuna e partnerit mbi aftësinë e viktimës për të dhënë pëlqim. Si gjykatësit ashtu edhe mbrojtja, kanë përdorur një sërë mitesh të dhunimit, përfshirë këtu mitet mbi dhunën, rezistencën, kallëzimet e rreme, sjelljen pas dhunimit, historinë seksuale dhe pëlqimin. Këto mite shpesh janë përdorur edhe të kombinuara në mes vete. Prania e vazhdueshme e këtyre miteve tregon se ato janë sistemike dhe të normalizuara në gjykimet për dhunim në Kosovë. Mitet që lidhen me dhunën, rezistencën dhe pëlqimin e përforcojnë më tej argumentin se shumë gjykata ende e interpretojnë dhunimin përmes një logjike të bazuar në forcë. Përveç kësaj, gjykatat dhe mbrojtja janë mbështetur në narrativat kulturore si: “gratë janë gënjeshtare”, “ gratë, viktima të dhunës së marrëdhënieve intime janë gënjeshtare”, “gruaja e (pa)moralshme”, “virgjëria”, dhe “burrë familjar”, narrativa këto që ndikojnë në atë se cilat dëshmi vlerësohen si të besueshme dhe cilat përvoja pranohen si dhunim. Këto gjetje nxjerrin në pah mangësi serioze në mënyrën se si viktimat e dhunimit trajtohen në sistemin penal të Kosovës. Ky hulumtim mbush një zbrazëti të rëndësishme në nivelin lokal të dijes dhe në rrafshin global, kontribuon në debatet feministe mbi ligjin për dhunim, mitet e dhunimit dhe narrativat kulturore, kështu duke ofruar një perspektivë cilësore nga një kontekst jo-perëndimor.
Author: Rrahmani, Gresa
Institution: Lund University
Language: Albanian
Subfield: Gender Studies
Field: Social Sciences
Domain: Social Sciences
Open Access status: green
OpenAlex ID: W7083343153
