Year: 2026
Type: dissertation
Study design: Observational Study
Abstract: Mënyrat e punës kanë pësuar një transformim fundamental pas pandemisë COVID-19. Punësimi në distancë, modeli hibrid dhe puna tradicionale në zyrë janë bërë opsione të zakonshme për organizatat në mbarë botën dhe është rritur interesi për të kuptuar sesi këto forma të ndryshme të punës ndikojnë në kënaqësinë në punë të punonjësve. Qëllimi i këtij studimi ishte të kuptohej dhe krahasohej ndikimi i mënyrave të ndryshme të punës (nga distanca, në zyrë dhe hibride) në nivelin e kënaqësisë në punë të punonjësve si dhe të identifikoheshin faktorët ndërmjetësues që mund të ndikojnë në këtë marrëdhënie. Ky studim bazohet në një metodologji kuantitative. Të dhënat u mblodhën përmes një pyetësori të strukturuar i cili u shpërnda në një mostër prej 150 punonjësish nga sektorë të ndryshëm (publik dhe privat). Analiza statistikore përfshiu përdorimin e SPSS për të interpretuar lidhjet mes mënyrës së punës dhe kënaqësisë në punë. Rezultatet treguan se punonjësit që punonin në mënyrë hibride kishin nivelin më të lartë të kënaqësisë në punë, të ndjekur nga ata që punonin nga distanca. Puna vetëm në zyrë rezultoi me nivelin më të ulët të kënaqësisë. Faktorë të tillë si fleksibiliteti, balanca punë-jetë dhe ndjenja e autonomisë u identifikuan si faktorë esencial që ndikojnë pozitivisht në kënaqësinë në punë në modelet hibride dhe të largëta. Studimi sugjeron se fleksibiliteti në mënyrën e punës luan një rol të rëndësishëm në mirëqenien dhe kënaqësinë e punonjësve. Organizatat duhet të konsiderojnë zbatimin e modeleve të punës më fleksibël për të rritur performancën dhe kënaqësinë në punë duke u përshtatur me nevojat individuale të punonjësve.
Author: Jakupi, Arbresha
Institution: AAB College
Language: Albanian
Subfield: Sociology and Political Science
Field: Social Sciences
Domain: Social Sciences
Open Access status: green
OpenAlex ID: W7224977695
